Në kuadër të vazhdimit të takimeve dhe bashkëbisedimit me degët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), drejtoresha e Qendrës Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, Fatjona Geci, zhvilloi sonte një takim me përfaqësuesit e degës së BDI-së në Vrapçisht.
Takimi u karakterizua nga një mikpritje e ngrohtë, bashkëbisedim frytdhënës dhe frymë bashkëpunimi, duke krijuar hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin e mundësive për avancimin e politikave dhe angazhimit të strukturave partiake.
Gjatë takimit, të pranishmit uruan drejtoreshën Fatjona Geci për marrjen e drejtimit të Qendrës Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, duke i shprehur njëkohësisht pritshmëritë e tyre për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Qendrës dhe degës së Vrapçishtit.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e angazhimit më të madh të anëtarëve të degës në trajnime, konsultime dhe aktivitete hulumtuese, me qëllim të harmonizimit të politikave lokale me ato qendrore dhe rritjes së cilësisë së vendimmarrjes politike. Ata shprehën kënaqësinë për realizimin e këtij takimi, duke e vlerësuar si një mundësi të rëndësishme për komunikim të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim institucional, si dhe duke theksuar se, sipas tyre, ishte hera e parë që një drejtor i kësaj Qendre zhvillonte një takim të këtij formati me degën e tyre.
Nga ana e saj, drejtoresha Fatjona Geci shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe gatishmërinë e pjesëmarrësve për bashkëbisedim të hapur e konstruktiv. Ajo theksoi përkushtimin e saj për ta bërë Qendrën Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi” një hapësirë sa më të hapur dhe bashkëpunuese, ku idetë, përvojat dhe nevojat e degëve të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave më cilësore dhe më të qëndrueshme.
Takimi në Vrapçisht është pjesë e nismës për forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë me degët e BDI-së, me synim që përmes konsultimit, trajnimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë të ndërtohen politika të mbështetura në nevojat konkrete dhe përvojat e strukturave në terren.
Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi” shpreh mirënjohje për degën e BDI-së në Vrapçisht për mikpritjen, gatishmërinë për bashkëpunim dhe kontributin në këtë bashkëbisedim konstruktiv.