10.10.2026

“Politika merr kuptim atëherë kur dëgjon njerëzit, kupton nevojat e tyre dhe i shndërron ato në zgjidhje konkrete.”

Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi” ka nisur një cikël takimesh me degët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), me qëllim shkëmbimin e ideve, identifikimin e nevojave dhe mundësive për bashkëpunim në hartimin dhe bashkërendimin e politikave në vazhdim.

Takimi i parë u zhvillua me Kryesinë e Degës së BDI-së në Zhelinë, ku drejtoresha e Qendrës, Fatjona Geci, u prit nga kryetari i degës, Emir Sulejmani, dhe anëtarët e Kryesisë. Në një atmosferë tejet miqësore dhe konstruktive, u diskutua për rolin e Qendrës në mbështetjen e strukturave partiake përmes analizave, hulumtimeve dhe hartimit të politikave që marrin në konsideratë edhe sugjerimet e anëtarëve të degëve.

Një nga kërkesat kryesore të përfaqësuesve të Degës së Zhelinës ishte rritja e angazhimit dhe organizimit, si dhe ofrimi i më shumë trajnimeve për anëtarët. Këto sugjerime do të shërbejnë si pikënisje për identifikimin e programeve konkrete që synojnë zhvillimin e kapaciteteve dhe forcimin e përgatitjes për angazhimin publik.

Gjatë takimit u diskutua edhe për mbështetjen ndaj kandidaturës së Arkin Jahijit në Bërvenicë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit, koordinimit dhe angazhimit të përgjegjshëm gjatë procesit zgjedhor.

Drejtoresha Fatjona Geci shpreh mirënjohjen për kryetarin e degës, Emir Sulejmani, dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë për mikpritjen dhe bashkëbisedimin konstruktiv.

Ky cikël takimesh do të vijojë edhe me degët e tjera, me synimin që idetë dhe përvojat nga terreni të ndërthuren me punën analitike të Qendrës dhe të shndërrohen në iniciativa konkrete, programe trajnimi dhe politika të mbështetura në analiza e nevoja reale.

Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi” :

🖋“Ide që lindin përmes bashkëbisedimit, politika që zhvillohen përmes bashkëpunimit.”