Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi” mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga IFES, me temë “Avancimi i partive politike të bazuara në dëshmi: njohuritë ligjore dhe krahasuese mbi qendrat hulumtuese dhe analitike”.
Qendrën tonë e përfaqësuan drejtoresha Fatjona Geci dhe koordinatori i projekteve, Pishtar Lutfiu, duke qenë pjesë e diskutimeve mbi rolin e qendrave hulumtuese dhe analitike në zhvillimin e politikave të bazuara në analiza, të dhëna dhe dëshmi.
Në tryezë morën pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, SH.T. Kristof Somer, drejtoresha për vendin e IFES, Joana Kozma, si dhe Johana Ketola, drejtore e programeve në Demo Finland, e cila mori pjesë online. Në diskutim kontribuuan edhe profesorët universitarë Aleksandar Spasenovski dhe Memet Memeti, ndërsa tryeza u moderua nga Dejan Dimitrievski, koordinator i projektit në IFES.
Gjatë takimit u diskutuan përvojat ligjore dhe krahasuese mbi funksionimin e qendrave hulumtuese e analitike, forcimi i kapaciteteve profesionale dhe rëndësia e politikëbërjes së mbështetur në dëshmi dhe analiza.
Pjesëmarrja e Qendrës Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi” në këtë tryezë përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe ideve me përfaqësues të institucioneve, organizatave ndërkombëtare dhe botës akademike, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e hulumtimit dhe analizës.


